SITUATE ALARMANTE/ Flakët përpijnë Patagoninë – Argjentina shpall gjendje të jashtëzakonshme

Qeveria e Argjentinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë katër provinca të Patagonisë, ndërsa flakët kanë djegur qindra mijëra hektarë që nga nisja e verës në hemisferën jugore, në dhjetor.

Urdhri ekzekutiv i presidentit përfshin provincat Chubut, Río Negro, Neuquén dhe La Pampa, me synimin për të koordinuar më mirë veprimet mes autoriteteve vendore dhe atyre kombëtare në luftën kundër zjarreve.

Vetëm në Chubut, që prej dhjetorit janë shkrumbuar rreth 450 mijë hektarë. Vatra më e madhe ndodhet në Parkun Kombëtar Los Alerces, rreth 1,800 kilometra në jug të Buenos Airesit, ku janë djegur afro 200 mijë hektarë bimësi, kryesisht sipërfaqe pyjore.

Qindra zjarrfikës janë në terren për të ndalur përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Reshjet e fundit të shiut kanë dhënë një ndihmë të pjesshme, por shumë vatra mbeten ende aktive. Rreth 450 zjarrfikës, të mbështetur nga 19 mjete ajrore, po operojnë në zonat më kritike.

Autoritetet kanë kryer edhe djegie të kontrolluara për të mbrojtur qytete si Cholilla, me afro 3 mijë banorë, dhe Esquel, me rreth 37 mijë banorë. Një tjetër zjarr në departamentin Epuyén ka djegur 220 mijë hektarë, por sipas shërbimeve zjarrfikëse është vënë nën kontroll në masën 85%.

Disa nga zjarret janë aktive që nga fillimi i dhjetorit. Rasti në Los Alerces dyshohet se u shkaktua nga rrufetë, ndërsa përhapja e flakëve ndikohet vazhdimisht nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.

Deri tani nuk raportohen viktima në Patagoninë argjentinase, por në Kilin fqinj zjarret e janarit shkaktuan rreth 20 viktima.

Qeveria ka njoftuar gjithashtu një fond emergjent prej rreth 86 milionë dollarësh për të mbështetur organizatat vullnetare të zjarrfikësve dhe operacionet në terren.