OPERACIONI/ Goditje rekord në Serbi – kapen 5 ton marihuanë dhe arsenal armësh

Autoritetet serbe kanë realizuar një nga operacionet më të mëdha antidrogë në vend, duke sekuestruar rreth pesë ton marihuanë në Serbinë qendrore. Aksioni u zhvillua më 29 janar në fshatin Konjuh, pranë Krushevcit, në bashkëpunim mes policisë dhe Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, e cilësoi këtë si sekuestrimin më të madh të drogës të regjistruar ndonjëherë në Serbi. Sipas tij, vlera e lëndës narkotike të kapur llogaritet mes 7 dhe 10 milionë euro.

Gjatë operacionit u arrestuan dy persona, N.S. (1986) dhe R.S. (1958), ndërsa një tjetër i dyshuar është në kërkim. Ata akuzohen për prodhim dhe posedim të paligjshëm të narkotikëve, si dhe për armëmbajtje dhe tregti të paligjshme armësh e mjete shpërthyese.

Përveç sasisë së madhe të drogës, policia gjeti edhe armë zjarri – të paktën katër pushkë automatike, një raketëhedhës krahu – si dhe rreth 12.700 euro para të gatshme.

Sipas Prokurorisë për Krimin e Organizuar, të dyshuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Marihuana ishte magazinuar në ambientet e një kompanie të quajtur “Florakom d.o.o.” dhe dyshohet se shpërndahej drejt Beogradit për shitje.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet dhe kontrollet po vijojnë, ndërsa të arrestuarit pritet të merren në pyetje nga prokuroria.