Salianji shpërthen ndaj drejtimit të PD pas takimit në Himarë: Po asgjësohet demokracia e brendshme

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pas një takimi të zhvilluar në Himarë, duke ngritur akuza të forta ndaj mënyrës si po drejtohet aktualisht PD-ja dhe funksionimit të strukturave të saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Salianji thekson se Partia Demokratike duhet të jetë modeli i epërsisë morale përballë qeverisë, por sipas tij kjo po dëmtohet rëndë nga mungesa e demokracisë së brendshme. Ai akuzon lidershipin për shkatërrimin e garave, emërime të njëanshme në krye të degëve dhe përjashtimin e anëtarësisë nga vendimmarrja.

Salianji bën të ditur se në Himarë u takua me sekretarin e degës së PD-së, dy ish-kryetarë dege, ish-kandidaten për kryetare bashkie dhe përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë. Sipas tij, qëllimi ishte të dëgjonte shqetësimet e demokratëve për proceset e fundit në këtë degë, të cilat ai i cilëson si “farsë”.

“Nëse Edi Rama dhe qeveria e tij kanë shkretuar Shqipërinë me keqqeverisje, është e papranueshme që lidershipi që drejton sot demokratët të shkatërrojë garat dhe të pilotojë kryetarë pa pyetur anëtarësinë,” shprehet ai.

Ai thekson se ajo që po ndodh në Himarë bie ndesh me çdo parim demokratik dhe me vetë frymën e PD-së, duke shtuar se pa respekt për anëtarësinë nuk mund të ketë opozitë morale.

“Pa demokraci të brendshme nuk ka besueshmëri përballë qytetarëve,” përfundon Salianji.