HISTORIKE/ Shfuqizohet ligji mesjetar – Parlamenti francez vendos: Seksi në martesë nuk është më detyrim!

Parlamenti francez ka ndërmarrë një hap historik duke i dhënë fund një nocioni të vjetër juridik, sipas të cilit martesa nënkuptonte një detyrim për marrëdhënieseksuale mes bashkëshortëve.

Një projektligj i miratuar në Asamblenë Kombëtare shton një klauzolë të qartë në Kodin Civil, duke sanksionuar se martesa nuk krijon asnjë “detyrim për marrëdhënie seksuale”. Me këtë ndryshim, mungesa e raporteve intime nuk do të mund të përdoret më si argument për divorc të bazuar mbi fajin.

Nisma synon të mbyllë një paqartësi ligjore që, megjithëse nuk ishte e shkruar qartë në ligj, kishte mbijetuar përmes interpretimeve gjyqësore ndër vite. Kodi Civil francez flet për “respekt, besnikëri, ndihmë dhe bashkësi jetese”, por disa gjykata e kishin zgjeruar këtë koncept duke përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale.

Rasti që tronditi opinionin publik ishte ai i vitit 2019, kur një grua u shpall fajtore në një proces divorci pasi kishte refuzuar marrëdhënie seksuale me bashkëshortin për vite me radhë. Çështja përfundoi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila dënoi Francën, duke e konsideruar këtë interpretim shkelje të të drejtave themelore. Vendimi u cilësua si fitore e madhe për të drejtat e grave.

Deputetja e të Gjelbërve, Marie-Charlotte Garin, sponsorizuese e ligjit, theksoi se lejimi i idesë së “detyrimit seksual” në martesë përforcon një sistem dominimi. Sipas saj, martesa nuk mund të konsiderohet një hapësirë ku pëlqimi për seks merret si i përhershëm.

Edhe pse ndryshimi pritet të ketë ndikim më shumë simbolik sesa praktik, mbështetësit besojnë se ai forcon mesazhin kundër përdhunimit brenda martesës dhe kulturës së pëlqimit të detyruar.

Në Francë, përdhunimi bashkëshortor është i dënueshëm që nga vitet ’90, ndërsa së fundmi është zgjeruar edhe përkufizimi ligjor i përdhunimit. Tani ai përfshin çdo akt seksual pa “pëlqim të informuar, specifik, paraprak dhe të revokueshëm”, duke theksuar qartë se heshtja apo mungesa e reagimit nuk përbëjnë pëlqim.