Asllani drejt largimit nga Italia – mesfushori kuqezi shumë pranë transferimit te Beshiktashi

E ardhmja e Kristjan Asllanit duket se do të jetë larg Serisë A. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është shumë pranë një lëvizjeje drejt Turqisë, me Beshiktashin që ka avancuar ndjeshëm për ta mbyllur marrëveshjen.

Pistat në Itali për vijimin e karrierës së tij janë ftohur, ndërsa lojtari ka dhënë miratimin për kalimin në Stamboll. Asllani, i cili këtë sezon ishte i huazuar te Torino nga Interi – klub që zotëron kartonin e tij – shihet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën e skuadrës turke.

Marrëveshja parashikohet të jetë huazim me të drejtë blerjeje, ndërsa palët po punojnë për detajet e fundit burokratike për ta zyrtarizuar transferimin.

Te Beshiktashi, Asllani pritet të ketë më shumë hapësira për të luajtur rregullisht, një faktor që ka ndikuar në vendimin e tij për të pranuar ofertën.

Klubi turk ka lidhje të tjera me futbollistë shqiptarë, pasi zotëron edhe kartonin e Ernest Muçit, aktualisht i huazuar te Trabzonspori, ku po spikat me paraqitje pozitive.