Një zhvillim që mund të shënojë kthesë në luftën në Ukrainë: Presidenti Volodymyr Zelensky ka shprehur gatishmërinë për një takim të drejtpërdrejtë me Vladimir Putinin, me dy çështje shpërthyese në qendër të bisedimeve – territori dhe fati i Centralit Bërthamor të Zaporizhzhias.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i cili zbuloi se këto mbeten nyjet më të forta që po bllokojnë një marrëveshje paqeje. Sipas tij, edhe në bisedimet e fundit në Abu Dhabi, ku ishin të pranishme delegacione nga Ukraina, Rusia dhe SHBA, pikërisht këto dy tema mbetën pa zgjidhje.
Nga njëra anë, Moska kërkon tërheqjen e plotë të forcave ukrainase nga i gjithë Donbasi – përfshirë zona që aktualisht nuk kontrollohen nga Rusia – një kërkesë që Kievi e refuzon kategorikisht si të papranueshme.
Nga ana tjetër, Ukraina këmbëngul në largimin e forcave ruse nga centrali i Zaporizhzhias, një pikë e ndjeshme me rrezik global. Shtetet e Bashkuara kanë hedhur idenë e një menaxhimi të përbashkët për centralin, duke u përpjekur të shmangin një krizë bërthamore në mes të luftës.
Sybiha theksoi se Zelensky është i hapur për takim, por në Moskë ka hezitim: Putini, sipas tij, ka shfaqur dyshime mbi efektivitetin e negociatave direkte.
Në një konflikt që ka mbajtur botën në ankth për vite, një përballje e drejtpërdrejtë mes dy liderëve do të ishte moment historik – por me çmime dhe kushte që mbeten thellësisht të ndara.









