Britania e Madhe ka rritur praninë e saj ushtarake në Ukrainë, një zhvillim që po shihet si sinjal i qartë i thellimit të angazhimit të Londrës në konflikt. Lajmi u konfirmua nga vetë Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, gjatë raportimit para Komitetit të Mbrojtjes në Dhomën e Komunave.
Sipas tij, personeli ushtarak britanik ndodhet në Ukrainë për të garantuar sigurinë e ambasadës në Kiev dhe për të ofruar mbështetje në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, ai pranoi se numri i tyre është shtuar pas ardhjes në pushtet të Laburistëve në korrik 2024, në përputhje me kërkesat e autoriteteve ukrainase. Prania britanike kishte nisur që me rihapjen e seksionit të mbrojtjes në prill 2022, por tashmë ka hyrë në një fazë të re zgjerimi.
Zhvillimi ka ndezur reagimin e Moskës. Ambasadori rus në Londër, Andrey Kelin, deklaroi se Britania është e përfshirë në luftë “më thellë se shumica e vendeve të NATO-s”. Sipas tij, është pranuar zyrtarisht prania e forcave speciale, instruktorëve ushtarakë dhe specialistëve britanikë, përfshirë ekspertë të angazhuar në përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi Storm Shadow.
Rritja e prezencës britanike shihet si një hap që mund të rrisë më tej tensionet me Rusinë, duke e vendosur Londrën gjithnjë e më afër vijës së parë të konfliktit.









