Një stuhi e egër dimërore ka kthyer një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara në një “zonë ngrirjeje”, duke lënë pas të paktën 30 viktima, kaos në transport dhe qindra mijëra familje pa energji elektrike.
Rreth dy të tretat e territorit amerikan janë mbërthyer nga temperaturat polare, me Midwest-in, Jugun dhe Verilindjen ndër zonat më të goditura. Një tjetër valë ajri Arktik pritet të përkeqësojë situatën, duke mbajtur ngricat dhe akullin në zona që tashmë janë të bllokuara nga bora.
Në veri të Pitsburgut, trashësia e borës arriti në 50 centimetra, ndërsa temperaturat e ndjera zbritën deri në –31°C. Edhe Nju Jorku përjetoi ditën me më shumë reshje dëbore në vite, me disa zona që regjistruan deri në 38 centimetra.
Bilanci i viktimave është tronditës dhe i larmishëm: persona të shtypur nga borëpastrueset në Massachusetts dhe Ohio, adoleshentë që humbën jetën në aksidente me sajë në Arkansas dhe Teksas, si dhe një grua e gjetur e ngrirë nën borë në Kansas. Vetëm në Nju Jork, të paktën tetë persona u gjetën të pajetë në ambiente të hapura.
Stuhia ka shkaktuar kolaps në udhëtime: mbi 12 mijë vonesa dhe anulime fluturimesh u regjistruan, ndërsa të dielën u anulua 45% e fluturimeve në SHBA — niveli më i lartë që nga pandemia. Shkollat u mbyllën, rrugët u bllokuan dhe komunitete të tëra mbetën të izoluara.
Më shumë se 560 mijë ndërprerje të energjisë u raportuan, kryesisht në jug të vendit. Në Misisipi u regjistrua stuhia më e rëndë e akullit që nga viti 1994, duke detyruar autoritetet të shpërndajnë shtretër, batanije, ujë dhe gjeneratorë për banorët e prekur.
Në Nashville, mijëra familje kaluan netë në errësirë dhe të ftohtë, ndërsa hotelet u mbushën plot me banorë që u larguan nga shtëpitë pa ngrohje.
Meteorologët paralajmërojnë se fundjava mund të sjellë një tjetër stuhi dimërore në Bregun Lindor, duke e mbajtur SHBA-në nën kërcënimin e motit ekstrem.









