Kylian Mbappé duket më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës së madhe personale: fitimit të Topit të Artë, çmimit më prestigjioz individual në futbollin botëror. Pas viteve ku ka qenë vazhdimisht në elitë, por pa e prekur trofeun, gjithçka po tregon se 2026 mund të jetë viti i shpërthimit përfundimtar të yllit francez.
Mbappé mahniti globin që në vitin 2018 me Francën kampione bote, ndërsa në finalen epike të Botërorit 2022 realizoi një het-trik historik, duke hyrë në librat e artë të futbollit, edhe pse trofeu i shkoi Argjentinës së Messit. Tani, sipas shumë zërave të futbollit francez, skena është gati për hakmarrjen e tij sportive.
Ish-mbrojtësi i Francës, Bacary Sagna, është i bindur:
“Ai do ta fitojë. Ky është sezoni i duhur. Botërori do ta nxjerrë në pah me Francën dhe në Champions League me Real Madridin pritet të jetë vendimtar.”
Sipas tij, Mbappé është tashmë përpara rivalëve në garë, si për formën, ashtu edhe për ndikimin në ekip. Vetëm një dështim i madh do ta ndalte, skenar që ai e konsideron pothuajse të pamundur.
Edhe një tjetër emër i njohur i futbollit francez, Frank Leboeuf, e mbështet fort idenë që sulmuesi i Real Madridit më në fund të marrë shpërblimin që, sipas tij, e meriton prej kohësh:
“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Dua ta shoh me Topin e Artë në duar.”
Me statusin e superyllit global dhe rolin kryesor si te klubi ashtu edhe te kombëtarja, shumëkush beson se ora e Mbappé ka ardhur dhe se trofeu që i ka munguar karrierës së tij po e pret.









