Një operacion spektakolar antidrogë në ujërat e Atlantikut ka çuar në sekuestrimin e rreth 9 ton kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë nga autoritetet portugeze. Droga transportohej me një mjet gjysmë-nëndetës, i projektuar për të shmangur radarët dhe kontrollin detar, dhe ishte e destinuar për tregun e gjerë europian.
Aksioni, i koduar “Adamastor”, u zhvillua rreth 230 milje detare larg Azoreve. Forcat portugeze ndërhynë në det të hapur, ku ndaluan mjetin e dyshimtë. Në bord u gjetën qindra pako me kokainë – sipas autoriteteve rreth 265–300 pako – me vlerë që arrin në qindra miliona euro në tregun e zi. Një pjesë e ngarkesës humbi në det pasi mjeti u fundos gjatë operacionit.
Në nëndetësen e improvizuar ndodheshin tre shtetas kolumbianë dhe një venezuelian. Ata u shpëtuan nga deti dhe u arrestuan, ndërsa dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të fuqishëm kriminal ndërkombëtar. Të dyshuarit do të merren në pyetje në Azore.
Operacioni u realizua nga Policia Gjyqësore Portugeze me mbështetjen e Marinës dhe Forcave Ajrore, si dhe në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare si DEA amerikane, JIATF-S dhe NCA britanike, në kuadër të MAOC-N. Autoritetet theksuan se ndërhyrja u krye në kushte të vështira atmosferike, duke e bërë aksionin edhe më të rrezikshëm.
Ky sekuestrim konsiderohet një nga goditjet më të mëdha kundër trafikut detar të kokainës në Evropë, duke zbuluar edhe një herë rrugët e sofistikuara që përdorin kartelët për të furnizuar tregun europian.









