Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po rriten, pasi Donald Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave doganore deri në 100% ndaj produkteve kanadeze. Megjithatë, kryeministri kanadez Mark Carney e zbuti situatën, duke e cilësuar këtë si pjesë të një strategjie presioni për negociata.
Carney deklaroi se shumë shpejt pritet të nisë një fazë e re negociatash ose një rishikim i marrëveshjes tregtare mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës (USMCA). Sipas tij, deklaratat e Trump duhen parë në kuadrin e stilit të tij të njohur si negociator i fortë.
“Presidenti është një negociator me përvojë. Disa nga këto qëndrime duhen kuptuar në një kontekst më të gjerë negociatash”, u shpreh Carney, duke lënë të kuptohet se Otava nuk e sheh kërcënimin si vendim përfundimtar, por si presion politik dhe ekonomik.
Kërcënimi i Trump erdhi pasi Kanadaja sinjalizoi një afrimitet tregtar me Kinën, duke njoftuar më herët për një marrëveshje paraprake në Pekin — një zhvillim që duket se ka ndezur reagimin e ashpër të Uashingtonit.









