Një ngjarje e rëndë ajrore ka tronditur Shtetet e Bashkuara, ku një avion privat u rrëzua në shtetin e Maine, duke lënë pas shtatë viktima dhe një person të plagosur.
Sipas raportimeve të CNN, që citojnë Administratën Federale të Aviacionit (FAA), avioni dymotorësh i tipit Bombardier Challenger 650 u përplas në pistë gjatë procedurës së ngritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Bangor-it. Menjëherë pas impaktit, mjeti ajror u përfshi nga flakë të fuqishme, duke e bërë situatën edhe më dramatike për personat në bord.
Shërbimet e emergjencës ndërhynë në vendngjarje, ndërsa autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit fatal. Ngjarja ndodhi në një moment kur rajoni verilindor i SHBA-së po përballet me mot të ashpër dhe stuhi të forta dëbore, faktorë që dyshohet se mund të kenë ndikuar në tragjedi.









