REAGIM I ASHPER/ “Nga refugjate në milionere?” – Trump vë në shënjestër kongresmenen demokrate, Ilhan Omar; kërkon hetim pasuror për të

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur tonet ndaj kongresistes demokrate Ilhan Omar, duke sugjeruar publikisht që Departamenti i Drejtësisë të hetojë pasurinë e saj, ndërsa situata në Minneapolis mbetet e tensionuar pas trazirave të fundit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se institucionet federale dhe Kongresi po shqyrtojnë çështjen e Omarit, për të cilën tha se “u largua nga Somalia pa asgjë dhe tani thuhet se zotëron mbi 44 milionë dollarë”. Ai la të kuptohet se pasuria e saj duhet të jetë objekt verifikimi, duke shtuar se “koha do të tregojë gjithçka”.

Komentet e Trump vijnë në një moment të ndjeshëm për shtetin e Minesotës, ku ai njoftoi edhe dërgimin e zyrtarit të tij për çështjet kufitare, Tom Homan, për të monitoruar situatën në terren pas protestave të fundit. Presidenti përmendi gjithashtu një hetim të madh për atë që e cilësoi si mashtrim masiv me fondet e ndihmës sociale në këtë shtet, duke e lidhur klimën e tensionuar me këtë çështje.

Ilhan Omar, kongresiste me prejardhje somaleze që përfaqëson një distrikt në Minneapolis, ka qenë prej kohësh një nga kritiket më të forta të politikave të Trump dhe shpesh objekt i sulmeve të tij verbale. Ajo më herët e ka akuzuar presidentin për retorikë përçarëse dhe obsesion personal ndaj saj, veçanërisht pas deklaratave të forta të bëra ndaj komunitetit somalez.

Debati mes dy figurave politike pritet të thellohet më tej, ndërsa kërkesat për hetime dhe akuzat politike po shtojnë tensionin në skenën amerikane.