Procesi zgjedhor në Kosovë është përfshirë nga dyshime të forta, pasi Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetime për manipulimm të mundshëm votash në komunën e Drenasit.
Departamenti i Krimeve të Rënda ka autorizuar Policinë e Kosovës të mbledhë informacione dhe prova, pasi gjatë ndjekjes së procesit të rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025 janë konstatuar mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputetë.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të rinumërimit në Drenas janë vërejtur dallime mes rezultateve të dala nga Qendra Komunale e Numërimit dhe atyre të përditësuara pas verifikimit të plotë të votave. Kjo situatë ka shtyrë prokurorin e shtetit të ndërmarrë veprime, për të identifikuar shkelje të mundshme dhe personat përgjegjës.
Autoritetet po punojnë për sigurimin e provave dhe sqarimin e plotë të rastit, ndërsa çështja pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në klimën politike paszgjedhore.









