Alarm në SHBA nga moti ekstrem: “Ditët më të rënda të dimrit në 40 vitet e fundit, nuk është shaka” (VIDEO)

Dhjetëra milionë amerikanë po përgatiten për një stuhi të fuqishme dimërore që pritet të godasë Shtetet e Bashkuara, nga Rrafshnaltat e Mëdha dhe zonat qendrore, deri në metropolet e dendura të Bregut Lindor. Autoritetet paralajmërojnë për kushte jashtëzakonisht të rrezikshme moti.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) bëri të ditur se stuhia do të sjellë reshje intensive dëbore, ngrirje masive me akull dhe temperatura polare të shoqëruara nga erëra të forta. Sipas meteorologëve, bëhet fjalë për një fenomen të pazakontë për nga shtrirja dhe kohëzgjatja.

“Dhjetë ditët e ardhshme mund të jenë më të këqijat e dimrit në 40 vitet e fundit në SHBA. Organizohuni, mendoni si të përballeni dhe kujdesuni për ata që kanë nevojë – kjo nuk është shaka,” paralajmëroi meteorologu Ryan Moy.

Ai shtoi se qytetarët duhet të jenë të përgatitur për ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe temperatura që mund të zbresin deri në –18 gradë Celsius.

Në Teksas, stuhia ka rikthyer kujtimet e dimrit të vitit 2021, kur kolapsi i rrjetit elektrik la miliona familje pa energji dhe shkaktoi mbi 200 viktima. Reshje të dendura dëbore janë regjistruar tashmë në veriperëndim të Teksasit dhe në Oklahoma.

Më shumë se 150 milionë qytetarë janë vënë nën alarm për mot ekstrem, ndërsa të paktën 14 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Ndikimi është ndjerë edhe në transportin ajror, ku rreth 1,800 fluturime janë anuluar, përfshirë mbi 1,200 nga dhe drejt Dallasit.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, u bëri thirrje rreth 20 milionë banorëve të shtetit të saj që të tregojnë kujdes maksimal.

“Vetëm pesë ose gjashtë minuta jashtë mund të jenë realisht të rrezikshme për shëndetin,” paralajmëroi ajo.