Lista e akuzave penale ndaj ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, po ngushtohet ndjeshëm, pasi një tjetër çështje ka rënë në vjetërsim. Së fundmi, një pjesë e lëndës “Talir”, e cila lidhej me financimin e paligjshëm të partisë VMRO-DPMNE, nuk mund të ndiqet më penalisht për shkak të skadimit të afatit ligjor.
Megjithatë, ndjekja penale vazhdon për pjesën tjetër të dosjes “Talir”, që ka të bëjë me pastrim parash, pasi vjetërsimi për këtë vepër parashikohet në vitin 2035. Në këtë proces janë të përfshirë Gruevski dhe disa bashkëpunëtorë të tij, ndërsa gjyqi në shkallë të parë vijon prej vitit 2019.
Ndërkohë, edhe disa çështje të tjera të profilit të lartë janë mbyllur si pasojë e ndryshimeve në Kodin Penal të vitit 2023 dhe kalimit të afateve ligjore. Mes rasteve që kanë rënë në vjetërsim përfshihen:
- “TNT”, për prishjen e kompleksit “Kosmos”
- “Trajektorja”, për komisionet në ndërtimin e autostradave
- “Shkupi 2014”
- “Feniks”
Si rezultat, numri i procedimeve aktive kundër ish-kryeministrit është reduktuar. Aktualisht, Gruevski mbetet i akuzuar në tre çështje kryesore:
- “Talir 1” dhe “Talir 2”, për pastrim parash
- “Titanik”, për shpërdorim fondesh publike në fushata zgjedhore dhe cenim të së drejtës së votës
Ndërkohë, hetimi për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill 2017 është pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurit, ndërsa disa procedime të tjera janë ndërprerë për shkak të vjetërsimit.
Për pasojë të ndryshimeve ligjore që ulën ndjeshëm dënimet për veprat penale të funksionarëve publikë, shumë ish-zyrtarë të ndjekur nga Ish-Prokuroria Speciale, kryesisht nga radhët e VMRO-DPMNE-së, kanë përfituar dënime minimale ose i kanë shpëtuar ndëshkimit. Megjithatë, aktualisht po diskutohet një iniciativë ligjore për rikthimin e dënimeve më të ashpra për rastet e keqpërdorimit të pushtetit.









