TAKIMI NE DAVOS/ Osmani me Presidenti e Singaporit – i kërkon heqjen e plotë të vizave me Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim në Davos me Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe forcimi i koordinimit në arenën ndërkombëtare.

Osmani bëri të ditur se ky takim pason takimin e tyre të parë të zhvilluar në Singapor dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Ajo theksoi se diskutimet u përqendruan në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe në hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Presidentja e Kosovës njoftoi se, pas liberalizimit të vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, i ka propozuar homologut të saj që hapi i radhës të jetë heqja e plotë e vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Një vendim i tillë do të forconte më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte edhe më shumë popujt tanë”, u shpreh Osmani.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe mundësia e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik, si një hap konkret për avancimin e marrëdhënieve Kosovë–Singapor. Sipas Presidentes Osmani, këto iniciativa do të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar.