ANEKSIMI I GROENLANDES/ Rutte dhe Frederiksen: NATO duhet të forcojë praninë ushtarake në Arktik

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, theksuan të premten nevojën për rritjen e sigurisë dhe pranisë së Aleancës në rajonin e Arktikut, pas tërheqjes së presidentit amerikan Donald Trump nga kërcënimet për aneksimin e Grenlandës me forcë.

Pas takimit të tyre në Bruksel, Rutte deklaroi se NATO po punon për të garantuar sigurinë e të gjithë aleatëve, duke përfshirë edhe përforcimin e mbrojtjes në Arktik. “Përmes bashkëpunimit do të avancojmë mbrojtjen dhe sigurinë në këtë rajon strategjik”, shkroi ai në rrjetin social “X”.

Edhe kryeministrja daneze u shpreh se mbrojtja e Arktikut është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Sipas saj, rritja e angazhimit dhe pranisë së Aleancës në këtë zonë është e domosdoshme për garantimin e stabilitetit dhe sigurisë.

Deklaratat vijnë pas njoftimit të presidentit Trump se kishte arritur një marrëveshje kornizë me sekretarin Rutte për bashkëpunimin mbi Grenlandën, çka çoi në tërheqjen e kërcënimeve për aneksim dhe vendosje tarifash ndaj aleatëve që do të kundërshtonin planet e tij.

Megjithëse detajet e kësaj marrëveshjeje nuk janë bërë publike, zyrtarë të Bashkimit Evropian konfirmojnë se forcimi i sigurisë në Arktik ishte pjesë e diskutimeve. Frederiksen shtoi gjithashtu se aleatët kanë rënë dakord për nevojën e një pranie të përhershme ushtarake në zonën përreth Grenlandës.

Vendet anëtare të NATO-s kanë shprehur konsensus për përforcimin e sigurisë në Arktik, një ide e hedhur prej kohësh, ndonëse komandantët ushtarakë të Aleancës theksojnë se planifikimi konkret operacional ende nuk ka nisur.