Ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum, zhvilloi një seri takimesh të rëndësishme politike në Tiranë, ku u fokusua te procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasada Gjermane bëri të ditur se Krichbaum u takua me kryeministrin Edi Rama, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zëvendësministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, si dhe me drejtuesin e SPAK, Klodian Braho.
Në qendër të diskutimeve ishte ecuria e reformave kyçe që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushën e drejtësisë, funksionimin e institucioneve dhe goditjen e korrupsionit në nivele të larta.
Në përfundim të vizitës, ministri Krichbaum theksoi se Gjermania dëshiron ta shohë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Evropian, duke u pozicionuar njëkohësisht si mik, mbështetës dhe kritik konstruktiv në këtë rrugëtim.
“Shqipëria ndodhet aktualisht në një moment vendimtar. Rruga drejt BE-së duhet vijuar me vendosmëri, përmes zbatimit të reformave të thella, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në një luftë të palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ai.
Krichbaum nënvizoi gjithashtu se përparimi kërkon bashkëpunim konstruktiv të të gjitha institucioneve dhe aktorëve politikë, si dhe vazhdim të guximshëm të reformave në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese.









