REAGIM/ Frederiksen i përgjigjet Trump: Sovraniteti i Danimarkës dhe Groenlandës nuk është për negociata

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet në Arktik, pas deklaratave dhe kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e Groenlandës. Ajo theksoi se siguria në rajonin arktik nuk është vetëm një çështje kombëtare, por një përgjegjësi e përbashkët e gjithë aleancës së NATO-s.

Frederiksen deklaroi se Mbretëria e Danimarkës ka punuar prej kohësh për të rritur angazhimin e NATO-s në Arktik dhe se gjatë gjithë procesit ka pasur koordinim të vazhdueshëm me qeverinë e Groenlandës. Sipas saj, dialogu me aleancën ka qenë i ngushtë dhe i pandërprerë, përfshirë komunikimin e drejtpërdrejtë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si para ashtu edhe pas takimit të tij me presidentin Trump në Davos.

Duke iu referuar spekulimeve për negociata mbi statusin e Groenlandës, kryeministrja daneze ishte e prerë se sovraniteti nuk është objekt diskutimi. Ajo theksoi se vendimet që lidhen me Danimarkën dhe Groenlandën merren vetëm nga institucionet e tyre.

“Ne jemi të gatshëm të negociojmë për çdo çështje politike, qoftë për sigurinë, investimet apo ekonominë. Por sovraniteti ynë nuk është i negociueshëm. NATO është plotësisht e informuar për këtë qëndrim dhe, sipas informacioneve që kam, as nuk ka qenë në tryezë një diskutim i tillë,” u shpreh Frederiksen.

Ajo shtoi se Danimarka mbetet e hapur për një dialog konstruktiv me aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për forcimin e sigurisë në Arktik, përfshirë edhe iniciativa si “Kupola e Artë”, por vetëm nëse respektohet plotësisht integriteti territorial i Mbretërisë së Danimarkës.