Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese, e cila lidhet me çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në shkresën zyrtare drejtuar Gjykatës Kushtetuese, GJKKO sqaron se nuk ka legjitimitet për t’u përfshirë si palë në këtë proces, duke paraqitur gjashtë arsye kryesore që mbështesin këtë qëndrim.
Së pari, theksohet se kontrolli kushtetues ushtrohet mbi aktin ose vendimin gjyqësor dhe jo mbi institucionin që e ka nxjerrë atë. Për rrjedhojë, gjykata nuk mund të konsiderohet palë kundërshtare në një proces kushtetues, pasi ajo është vetëm autorja e vendimit që po shqyrtohet.
Së dyti, GJKKO vlerëson se pjesëmarrja në seancë do të cenonte parimin e pavarësisë së brendshme të pushtetit gjyqësor, sipas të cilit çdo gjyqtar është i pavarur në vendimmarrje dhe nuk i përgjigjet askujt për vendimet e marra në çështje konkrete, qoftë edhe brenda vetë sistemit gjyqësor.
Së treti, përfshirja e gjykatës si palë do të krijonte perceptimin se ajo po mbron vendimin e saj, çka mund të dëmtojë besimin e publikut në paanshmërinë dhe integritetin e drejtësisë penale, veçanërisht në një çështje që përfshin një funksionare të lartë shtetërore.
Së katërti, nënvizohet parimi i shkallëzimit të pushtetit gjyqësor, sipas të cilit vendimet e gjykatave të shkallës së parë i nënshtrohen kontrollit vetëm nga gjykatat më të larta të juridiksionit të zakonshëm dhe jo nga institucione të tjera, për aq kohë sa ato nuk janë prishur apo ndryshuar.
Së pesti, GJKKO argumenton se në këtë rast nuk janë shteruar ende të gjitha mjetet juridike efektive, pasi vendimet për masat e sigurimit apo pezullimit nga detyra janë të ankimueshme në gjykatat e zakonshme, duke e bërë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese në këtë fazë të parakohshme.
Së gjashti, në përfundim, gjykata thekson se pjesëmarrja e saj në një proces kushtetues do të ishte jashtë kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, për sa kohë çështja penale ndaj Belinda Ballukut vijon të jetë në shqyrtim nga juridiksioni gjyqësor i zakonshëm.









