Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se nuk do të zbatojë tarifat doganore që pritej të hynin në fuqi më 1 shkurt ndaj tetë vendeve të Bashkimit Evropian, duke sinjalizuar një zbutje të qëndrimit të tij në marrëdhëniet me aleatët evropianë.
Vendimi u bë publik pas një takimi që Trump e cilësoi si “shumë produktiv” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në një postim në platformën Truth Social, presidenti amerikan bëri të ditur se palët kanë arritur një mirëkuptim paraprak, duke formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme lidhur me Groenlandën.
Sipas Trump, nëse kjo zgjidhje finalizohet, ajo do të jetë në dobi të Shteteve të Bashkuara dhe të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë kuadër, ai theksoi se heqja dorë nga tarifat lidhet drejtpërdrejt me këtë mirëkuptim.
“Bazuar në këtë dakordësi, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar për 1 shkurt. Po zhvillohen gjithashtu diskutime të tjera në lidhje me ‘Kupolën e Artë’, në raport me Groenlandën”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se një ekip i posaçëm negociatorësh do të udhëheqë bisedimet, ku përfshihen zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff. Sipas tij, grupi do të raportojë drejtpërdrejt tek ai, ndërsa detaje të mëtejshme pritet të bëhen publike me avancimin e negociatave.









