Citroen C3 zbret nën 8 mijë euro në Gjermani – Ja si subvencionet po revolucionarizojnë tregun e makinave elektrike

Falë hyrjes në fuqi të skemës së re të subvencioneve për automjetet elektrike në Gjermani, prodhuesit e makinave kanë nisur të ofrojnë ulje të ndjeshme çmimesh për të tërhequr blerësit. Një nga ofertat më të spikatura vjen nga Citroën, i cili ka ulur ndjeshëm çmimin e modelit elektrik ë-C3.

Nëpërmjet kombinimit të subvencionit shtetëror dhe zbritjes së drejtpërdrejtë nga prodhuesi, çmimi i Citroën ë-C3 Urban Range në versionin YOU zbret nga 19,990 euro në vetëm 7,990 euro. Konkretisht, shteti gjerman ofron një subvencion deri në 6,000 euro, ndërsa Citroën aplikon një ulje shtesë të së njëjtës vlerë, duke sjellë një reduktim total prej rreth 12,000 eurosh.

Modeli është i pajisur me një bateri LFP prej 30 kWh, që siguron një autonomi deri në 204 kilometra, si dhe me një motor 113 kuaj-fuqi, duke e bërë atë veçanërisht të përshtatshëm për përdorim urban. Ngarkimi i shpejtë deri në 30 kW ofrohet si opsion shtesë me kosto 500 euro, ndërsa kondicioneri dhe sensorët e parkimit të pasmë janë pjesë e pajisjeve standarde.

Qëllimi i kësaj skeme financimi është të rrisë aksesin e qytetarëve, veçanërisht familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndaj automjeteve elektrike, si dhe të nxisë uljen e emetimeve të CO₂. Nga ana tjetër, zbritja e ofruar nga Citroën shërben edhe për të përmbushur objektivat mjedisore të Bashkimit Evropian dhe për të shmangur penalitetet financiare.

Subvencioni shtetëror u dedikohet ekskluzivisht blerësve privatë dhe vlen për blerjen ose leasing-un e automjeteve të reja elektrike ose hibride me prizë, që regjistrohen për herë të parë në Gjermani. Përfitues mund të jenë familjet me të ardhura vjetore të tatueshme deri në 80 mijë euro, ndërsa shuma maksimale e përfitimit arrin në 6,000 euro.