PRONONCIMI/ Ftesa e Trump për Ramën – reagon Berisha: Mbështesim përpjekjet për paqe, s’kemi ende qëndrim për votimin në Kuvend

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të premte, më 24 janar, se opozita mbështet dhe vlerëson përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes në Gaza, por tha se ende nuk ka një qëndrim të qartë lidhur me votimin në Kuvend për aderimin e Shqipërisë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”.

I pyetur nëse deputetët demokratë do të votojnë pro këtij aderimi, pas ftesës së bërë nga Trump, Berisha u shpreh se nuk ka informacion të plotë mbi çështjen dhe se është informuar për këtë zhvillim përmes mediave.

“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Po informohem nga ju. Parimisht, ne mbështesim plotësisht dhe e vlerësojmë lart përpjekjen për paqe në Gaza dhe planin për paqe të presidentit Trump. Përtej kësaj, nuk di më shumë”, u shpreh Berisha.

Në lidhje me vendimin e qeverisë për të miratuar me urgjencë aderimin e Shqipërisë në këtë forum, që tashmë pritet të shqyrtohet nga Kuvendi, kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka ndërmarrë këtë hap për të shmangur protestat.

Berisha theksoi se, pavarësisht kritikave të tij të ashpra ndaj Ramës, ftesa për Shqipërinë është drejtuar ndaj kryetarit të qeverisë si përfaqësues i ekzekutivit. “Presidenti i Republikës në Shqipëri ka rol ceremonial, ndërsa kreu i ekzekutivit është kryeministri. Për këtë arsye, ftesat i adresohen atij”, tha ai.

Megjithatë, Berisha u shpreh se një ftesë e tillë nuk e forcon pozitën ndërkombëtare të Edi Ramës. “Çfarëdo ftese të marrë, ai mbetet një narkodiktator. Por, për sa kohë përfaqëson Shqipërinë, ftesat për vendin do t’i marrë ai”, përfundoi kreu i Partisë Demokratike.