SHIFRA E “ÇMENDUR”/ Ronaldo “mbret” i pasurisë – Sportisti më i paguar në botë për të tretin vit radhazi

Cristiano Ronaldo vazhdon të dominojë jo vetëm fushat e futbollit, por edhe listat financiare. Ylli portugez ka kryesuar sërish renditjen vjetore të Sportica për sportistët më të paguar në botë, duke arkëtuar plot 260 milionë dollarë gjatë vitit 2025, gati dyfish më shumë se rivali i tij historik, Lionel Messi.

Sulmuesi i Al-Nassr kryeson këtë listë për të tretin vit radhazi, ndërsa prej nëntë vitesh fitimet e tij nuk kanë rënë kurrë nën shifrën 100 milionë dollarë. Kjo është hera e tretë që të ardhurat vjetore të Ronaldos kalojnë pragun e 200 milionë dollarëve, një rekord që po “çmend” rrjetet sociale.

Suksesi financiar i CR7 nuk lidhet vetëm me kontratën e tij sportive, por edhe me ndikimin e jashtëzakonshëm jashtë fushës. Ronaldo numëron mbi 1 miliard ndjekës në rrjetet sociale, duke u kthyer në figurën më të ndjekur në botë, ndërsa bashkëpunimet me marka gjigante si Nike, Herbalife, Binance, Perplexity, Yili dhe Therabody i kanë siguruar të ardhura kolosale nga sponsorizimet.

Në vendin e tretë renditet Lionel Messi, me 130 milionë dollarë të ardhura në vitin 2025, gjysma e shumës së fituar nga Ronaldo. Argjentinasi ka rinovuar së fundmi kontratën me Inter Miami, duke u lidhur me klubin amerikan deri në vitin 2028.

Mes dy yjeve të futbollit, pozicionin e dytë e zë boksieri meksikan Canelo Alvarez, falë një marrëveshjeje shumë fitimprurëse me promotorë sauditë.

Ndërkohë, Ronaldo po negocion zgjatjen e kontratës me Al-Nassr deri në verën e vitit 2027, ndërsa si ai ashtu edhe Messi përmenden si kandidatë për të qenë pjesë e Kupës së Botës që zhvillohet këtë vit në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Në anën tjetër, Neymar ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur në vendin e 30-të të renditjes. Pas ndërprerjes së kontratës me Al-Hilal dhe rikthimit te Santos në fillim të vitit 2025, të ardhurat e tij kanë rënë me rreth 50 milionë dollarë krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas Sportica, të ardhurat totale të 100 sportistëve më të paguar në botë arrijnë në 6.05 miliardë dollarë, një rënie prej 2.1% krahasuar me vitin e kaluar.