PARALAJMERIMI/ Balla pas konferencës së kryetarëve: Reformat nuk bllokohen, shumica ecën përpara edhe pa opozitën

Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit për vitin 2026 u mblodh këtë të hënë, ku fjalën e parë e mori kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në një ton të drejtpërdrejtë, ai iu drejtua opozitës duke theksuar se shumica është e hapur për bashkëpunim, por nuk do të lejojë pengimin e reformave.

Balla deklaroi se thirrjet për revolucione dhe justifikimet për humbje të radhës janë të kota, ndërsa nënvizoi gatishmërinë e PS-së për të bashkëpunuar në reformën zgjedhore, ndarjen administrative-territoriale dhe çështje të tjera me rëndësi ligjore.

Sipas tij, opozita nuk ka të drejtë të bllokojë proceset reformuese, duke kujtuar se ekziston një marrëveshje e mëparshme për ngritjen e komisioneve parlamentare. Ai paralajmëroi se çdo tërheqje e njëanshme nga kjo marrëveshje do ta detyrojë shumicën të vijojë punën edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së theksoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, me fokus të veçantë depolitizimin e administratës zgjedhore. “Nuk mund të vazhdojë më praktika që partitë jo vetëm të votojnë, por edhe të numërojnë votat”, u shpreh ai, duke shtuar se procesi i numërimit duhet të përshpejtohet dhe të konsiderohet kryerja e tij direkt në qendrat e votimit.

Balla theksoi se koha nuk pret më, sidomos në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, ndërsa rikujtoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë 84 vota në Kuvend. Ai bëri të ditur gjithashtu ambicien e shumicës për një reformë më të thellë, që përfshin edhe uljen e numrit të deputetëve në 100 ose 101.

Në fund, Balla hodhi poshtë pretendimet e opozitës për mungesë të fjalës në Kuvend, duke theksuar se gjatë sesionit të kaluar opozita ka pasur 48 orë diskutime në seancë plenare, më shumë se shumica dhe qeveria së bashku, të cilat kanë pasur 40 orë.