Rreth 68 milionë tonë rrënoja mbulojnë aktualisht Rripin e Gazës, më shumë se dy vjet pas shpërthimit të konfliktit me Izraelin, i cili pasoi sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023. Si pasojë e ofensivës izraelite, vlerësohet se rreth dy të tretat e banesave në enklavë janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, ndërsa në Qytetin e Gazës dhe Rafah shifrat janë edhe më të larta.
Në këtë situatë, Administrata e re e Përkohshme për Rripin e Gazës zhvilloi takimin e saj të parë në Kajro. Kreu i komitetit, Ali Shaath, deklaroi se palestinezët kanë pritur prej kohësh krijimin e këtij organi dhe nisjen e punës së tij. Gaza ishte qeverisur për gati dy dekada nga grupi militant islamik Hamas, ndërsa vetëm tre ditë më parë Hamas dhe Autoriteti Autonom Palestinez ranë dakord për përbërjen e një organi teknokratik me 15 anëtarë palestinezë.
Në një intervistë për median shtetërore egjiptiane, Shaath theksoi se prioritet do të jetë rindërtimi i infrastrukturës dhe ringritja e ekonomisë, një proces që pritet të zgjasë rreth tre vjet, me fokus të veçantë ndërtimin e banesave të reja. Aktualisht, shumë nga të zhvendosurit në Gaza vazhdojnë të jetojnë në çadra.
Ndërkohë, po diskutohen edhe mënyrat e pastrimit të sasisë së madhe të inerteve. Sugjerimi i Shaathit që mbetjet e rrënojave të hidhen në det me buldozerë është pritur me skepticizëm, si në Gaza ashtu edhe në Izrael. Një tjetër pengesë serioze mbeten municionet e pashpërthyera, të cilat e bëjnë procesin e pastrimit të rrezikshëm dhe të ndërlikuar.
Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kostoja totale e rindërtimit të Gazës arrin në rreth 50 miliardë dollarë, ndërsa i gjithë procesi mund të zgjasë deri në vitin 2040.









