REAGIMI/ Rusia akuza NATO-s: Po e ktheni Arktikun në zonë ushtarake

Rusia ka akuzuar NATO-n për përpjekje për militarizimin e Arktikut, në një moment kur tensionet në rajon po rriten pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për “blerjen” e Groenlandës dhe njoftimeve nga disa vende evropiane për dërgimin e trupave në ishull.

Ambasadori rus në Danimarkë, Vladimir Barbin, deklaroi se vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Danimarkën, po e paraqesin Arktikun si një zonë të kërcënuar nga Rusia dhe Kina, duke justifikuar kështu rritjen e pranisë ushtarake në rajon. Sipas tij, kjo qasje po çon në përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve.

Duke cituar agjencinë shtetërore ruse TASS, Barbin akuzoi Kopenhagenin se ka adoptuar një linjë konfrontuese, duke përfshirë strukturat e NATO-s në çështjet e sigurisë së Arktikut.

Ambasadori rus mohoi kategorikisht çdo synim agresiv nga ana e Moskës, duke theksuar se Rusia nuk ka plane për të sulmuar fqinjët e saj në Arktik dhe nuk përbën kërcënim ushtarak për rajonin. Megjithatë, ai paralajmëroi se interesat ruse në Arktik nuk duhet të injorohen.

Rusia, e cila zotëron një vijë të gjatë bregdetare në Oqeanin Arktik, e konsideron këtë rajon pjesë të rëndësishme të sferës së saj të ndikimit strategjik. Moska ka rritur përdorimin e rrugëve detare arktike dhe ka zgjeruar praninë e saj ushtarake atje vitet e fundit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer presionin për marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke e justifikuar këtë me arsye të sigurisë kombëtare dhe duke përmendur rreziqet nga prania ruse dhe kineze, pa përjashtuar opsionin ushtarak.

Pas bisedimeve pa rezultat të zhvilluara javën e kaluar në Uashington, disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kanë njoftuar se do të dërgojnë trupa në Groenlandë në mbështetje të Danimarkës.