Gjermania pritet të nisë këtë javë dërgimin e trupave të para në Groenlandë, raporton gazeta gjermane Bild, duke cituar burime të shumta nga Gjermania dhe vendet skandinave.
Sipas raportimit, faza e parë do të përfshijë dërgimin e një ekipi zbulimi me disa pjesëtarë të Bundeswehr-it. Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes i tha Bild se nuk është në gjendje as ta konfirmojë dhe as ta mohojë këtë informacion.
Megjithatë, gazeta thekson se operacioni mund të nisë që nesër. Burime brenda qeverisë gjermane dhe Bundestagut kanë bërë të ditur se ekipi i parë i zbulimit pritet të niset brenda 24 orëve.
Ndërkohë, Danimarka njoftoi të martën një rritje të ndjeshme të pranisë së saj ushtarake në Groenlandë, ndërsa pritet që edhe partnerë të tjerë evropianë të NATO-s të bashkohen në këtë angazhim. Zyrtarisht, bëhet fjalë për shtete evropiane anëtare të NATO-s që po forcojnë praninë e tyre në territorin e Groenlandës.
Sipas Bild, megjithatë, operacioni po koordinohet drejtpërdrejt nga Kopenhageni dhe jo përmes strukturave të NATO-s. Arsyeja e kësaj qasjeje lidhet me faktin se vendet nordike të NATO-s, përfshirë Groenlandën, janë nën komandën e Aleancës në Norfolk, SHBA, ndërsa ky mision synon të realizohet pa përfshirjen amerikane.
Gazeta gjermane raporton gjithashtu se, përveç stërvitjes së trupave tokësore, ekziston një mundësi e madhe që në mision të përfshihen edhe forcat detare dhe ajrore.
Groenlanda është konsideruar prej kohësh si një lokacion i mundshëm për stacionimin ose përdorimin e avionit të ri të zbulimit me rreze të gjatë veprimi Poseidon, përfundon raportimi i Bild.









