VIDEO-LAJM/ Flakë në restorant në Madrid nga fishekzjarrët – ndërhyrja e stafit shmang katastrofën

Një incident i rrezikshëm u regjistrua në një restorant në Madrid, ku përdorimi i fishekzjarreve të brendshme për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, në një skenar të ngjashëm me ngjarjen e rëndë të Crans-Montana në Zvicër.

Fishekzjarret shkaktuan një zjarr të konsiderueshëm, i cili fatmirësisht u vu shpejt nën kontroll dhe nuk pati viktima. Ngjarja ndodhi të shtunën në restorantin GLH Singular Restaurants.

Zjarri u pikas menjëherë nga stafi, i cili reagoi me shpejtësi duke përdorur fikëse zjarri dhe arriti ta shuajë flakën përpara se ajo të përhapej. Një video e publikuar nga vendngjarja tregon momentin kur një perde merr flakë nga fishekzjarrët, ndërsa një kamerier ndërhyn menjëherë për të shuar zjarrin.

Pas incidentit, drejtuesit e restorantit kanë vendosur të ndalojnë përgjithmonë përdorimin e çdo pajisjeje piroteknike në të gjitha ambientet e tyre.

Ngjarja vjen më pak se dy javë pas zjarrit tragjik në barin e resortit të skive në Crans-Montana, ku humbën jetën 40 persona, kryesisht adoleshentë dhe të rinj, ndërsa 116 të tjerë mbetën të plagosur.