LAJM I BUJSHEM/ SHBA ngrin vizat e emigracionit për Shqipërinë dhe Kosovën – dokumenti i DASH zbardh vendimin: Refuzimet nisin më 21 janar, pa afat

Pas pezullimit të lotarisë amerikane, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të ndalojnë përkohësisht dhënien e vizave të emigracionit edhe për qytetarët shqiptarë dhe kosovarë. Vendimi hyn në fuqi më 21 janar dhe do të zbatohet pa një afat të përcaktuar.

Një memorandum i Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH), i siguruar fillimisht nga Fox News Digital, u kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë aplikimet për viza emigracioni sipas legjislacionit ekzistues, ndërsa po kryhet një rishikim i thelluar i procedurave të kontrollit dhe verifikimit.

Sipas dokumentit, pezullimi do të mbetet në fuqi derisa Departamenti i Shtetit të përfundojë rivlerësimin e plotë të procesit të lëshimit të vizave të emigracionit.

Ky vendim vjen pas një udhëzimi të shpërndarë në nëntor 2025 në përfaqësitë diplomatike amerikane në mbarë botën, ku zyrtarëve konsullorë u kërkohej të zbatonin rregulla më të rrepta kontrolli, bazuar në dispozitën e njohur si “public charge” në ligjin e emigracionit.

Sipas kësaj dispozite, aplikantët mund të refuzohen nëse vlerësohen si persona që mund të bëhen barrë për sistemin e ndihmës publike në SHBA. Në shqyrtim merren një sërë faktorësh, përfshirë moshën, shëndetin, njohjen e gjuhës angleze, gjendjen financiare, historikun e përdorimit të ndihmave shtetërore dhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë. Edhe aplikantët e moshuar ose me probleme shëndetësore mund të përballen me refuzim.

“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët e mundshëm që do të bëheshin barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan”, deklaroi zëdhënësi i DASH, Tommy Piggott.

Sipas Fox News, Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e një liste prej rreth 75 shtetesh, qytetarëve të të cilave do t’u pezullohet shqyrtimi i vizave të emigracionit duke nisur nga 21 janari. Vendimi përfshin një gamë të gjerë vendesh nga Evropa, Afrika, Azia dhe Amerika Latine, ndërsa autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende një afat se kur mund të rikthehet normalisht procesi i aplikimit për viza emigracioni.