Sistemet arsimore në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, po përballen me një prirje shqetësuese: gjithnjë e më shumë mësues po planifikojnë të braktisin profesionin përpara moshës së pensionit. Të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tregojnë se një numër i konsiderueshëm mësuesish synojnë të largohen nga mësimdhënia brenda pesë viteve të ardhshme, edhe pse nuk janë ende pranë daljes në pension.
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti shprehet se mësuesit janë të gatshëm të orientohen drejt profesioneve të tjera që ofrojnë paga dhe përfitime më të mira. “Ata kanë kualifikimin e nevojshëm për të gjetur alternativa pune, brenda ose jashtë vendit, që u sigurojnë jo vetëm të ardhura më të larta, por edhe pension më të mirë”, thekson ai.
Sipas raportit të OECD-së, në Shqipëri, Maltë, Marok, Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Uzbekistan, përqindja e mësuesve meshkuj që planifikojnë largimin nga profesioni është mbi 5 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me mësueset femra. Mehmeti vëren se kjo lidhet edhe me mënyrën se si trajtohen mësuesit në sistem: “Tradicionalisht ka pasur më shumë mësuese, por problemi kryesor është ndjenja e përjashtimit dhe mungesa e vlerësimit institucional”.
Arsyet kryesore të largimit lidhen me kënaqësinë e ulët në punë, kushtet e vështira të mësimdhënies, mungesën e mundësive për zhvillim profesional dhe statusin e dobët shoqëror të profesionit të mësuesit.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo tendencë nuk frenohet, vendet e prekura rrezikojnë mungesë serioze të mësuesve, rritje të ngarkesës për stafin ekzistues dhe përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së arsimit.









