Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka hedhur poshtë akuzat e SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre, duke deklaruar se nuk ka përfituar asnjë pasuri të paligjshme gjatë gjithë karrierës së tij politike.
Përmes një letre të lexuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, Meta bëri të ditur se është kryer një analizë e detajuar financiare nga vajza e tij, e cila përfshin të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet nga viti 1995 deri në vitin 2023. Sipas kësaj ekspertize, të ardhurat totale të tij për këtë periudhë arrijnë në rreth 87 milionë lekë të reja.
Duke iu referuar çështjes CEZ-DIA, Meta theksoi se ajo është hetuar dy herë dhe se emri i tij nuk është përfshirë asnjëherë. Ai shtoi se kjo është e vetmja çështje ku shteti shqiptar ka dalë me fitim, pasi dëmi prej rreth 1 milion eurosh është tejkaluar nga sekuestrimi i 4 milionë eurove ndaj Kastriot Ismailit në vitin 2014. Sipas tij, dokumentet, dëshmitë dhe referencat ndërkombëtare e bëjnë të qartë procesin e përzgjedhjes së DIA-s.
Sa i përket akuzave për lobim, Meta deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që ai të ketë shkelur ligjin shqiptar apo amerikan, duke paralajmëruar publikimin e kontratave dhe dokumenteve përkatëse.
Në lidhje me pasurinë, Meta i cilësoi pretendimet e prokurorisë si të pavërteta dhe të bazuara në falsifikime, duke theksuar se hetimi provon “zero qindarkë dhe zero metra katrorë” pasuri të paligjshme. Ai shtoi se është i gatshëm të japë çdo sqarim nga burgu i sigurisë së lartë 313.
Nga ana tjetër, avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se Meta ndodhet në izolim total, pa prova konkrete ndaj tij. Ai e cilësoi ndalimin si një sulm politik dhe theksoi se, sipas analizës financiare, pas shpenzimeve, Metës i kanë mbetur edhe rreth 50 milionë lekë të reja.
Cakrani ngriti shqetësimin për shkelje të rënda procedurale, duke theksuar se hetimet kanë përfunduar në gusht 2025, ndërsa Meta vijon të mbahet pa nisur ende seanca paraprake. Sipas tij, kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati bëri thirrje për respektimin e standardeve minimale të shtetit të së drejtës, duke theksuar se sulmet ndaj Metës kanë dështuar dhe se faktet, sipas tij, dëshmojnë se ish-Presidenti nuk ka përfituar asgjë në mënyrë të paligjshme.









