I dërguari presidencial i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, po shqyrtojnë mundësinë e një vizite në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, raportojnë media ndërkombëtare.
Sipas burimeve, takimi ishte planifikuar paraprakisht për muajin janar, por zyrtarë amerikanë bëjnë me dije se axhenda mbetet ende në fazë përgatitore dhe mund të ndryshojë, për shkak të zhvillimeve të fundit në Iran.
Raportohet se Witkoff dhe Kushner synojnë t’i paraqesin Kremlinit versionet më të fundit të propozimeve për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, përfshirë paketën e garancive të sigurisë që Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane parashikojnë t’i ofrojnë Kievit.
Më 2 dhjetor, presidenti Putin kishte pritur Witkoff dhe Kushner në Kremlin, në një takim që zgjati rreth pesë orë dhe u përqendrua kryesisht te rrugët e mundshme për zgjidhjen e krizës ukrainase.









