DENONCIMI/ “Berisha godet partitë e vogla përmes Kodit Zgjedhor” – Hasimja: Ditën kërkon aleancë, natën bie në pazar me Ramën

Analisti Ermal Hasimja ka kritikuar ashpër qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj partive të vogla opozitare, duke e cilësuar atë kontradiktor dhe politikisht të paqëndrueshëm. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Hasimja u shpreh se PD po lëviz në një paradoks të hapur: nga njëra anë fton forcat e reja në bashkëpunim, ndërsa nga ana tjetër negocion me Partinë Socialiste ndryshime në Kodin Zgjedhor që, sipas tij, i penalizojnë drejtpërdrejt këto parti.

Sipas Hasimjas, Partia Demokratike është forca që ka më shumë nevojë për bashkëpunim opozitar, por nuk tregon gatishmëri për të bërë lëshime apo sakrifica reale. “Nuk mund të kërkosh aleancë me partitë e vogla dhe njëkohësisht të biesh dakord me PS-në për rregulla zgjedhore që u bien kokës atyre”, theksoi analisti.

Ai vlerësoi se do të ishte politikisht dhe moralisht më e ndershme që PD, nëse synon vërtet ndërtimin e një fronti opozitar, të mbante qëndrim të qartë dhe të mbështeste partitë e reja, veçanërisht në çështje kyçe si Kodi Zgjedhor. Hasimja shtoi se këto forca politike sjellin vota që nuk do të shkonin kurrë drejt PD-së, duke rritur realisht potencialin opozitar.

Në fund, analisti nënvizoi se problemi kryesor i opozitës nuk është forca e qeverisë, të cilën e cilësoi “jashtëzakonisht të dobët”, por mungesa e një strategjie të përbashkët dhe e bashkëpunimit të sinqertë mes forcave opozitare.