Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar më 19 janar, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë kanë zhvilluar sot takime zyrtare në Kryesinë e Kuvendit me drejtuesit e grupeve parlamentare.
Takimi i parë u zhvillua rreth orës 12:00 me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa në orën 14:00 zyrtarët amerikanë u takuan edhe me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Sipas burimeve parlamentare, bisedimet janë përqendruar në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar, si dhe në ecurinë e punës së dy komisioneve të posaçme: atij për reformën territoriale dhe atij për reformën zgjedhore. Këto procese konsiderohen kyçe për avancimin e integrimit europian të Shqipërisë.
Takimet zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, vetëm pak javë pasi sesioni i kaluar parlamentar u mbyll mes përplasjeve dhe kaosit, përfshirë përdorimin e mjeteve tymuese gjatë seancës ku u betua Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani.
Kjo situatë e acaruar politike, e cilësuar nga kritikat si e nxitur nga përplasjet mes dy forcave kryesore, rrezikon të minojë edhe përpjekjet e SPAK, i cili i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në kuadër të një prej çështjeve më të ndjeshme politike dhe ligjore të momentit.









