Tryeza e organizuar nga Partia Demokratike me partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile duket se ka nxitur tensione të reja brenda kampit opozitar.
Alfred Lela, drejtor i komunikimit dhe i zyrës së shtypit në Partinë Demokratike, ka reaguar përmes një editoriali ku ka ironizuar dhe kritikuar disa nga panelistët e pranishëm në tryezë, të cilët shprehën qëndrime kritike ndaj opozitës nën drejtimin e Sali Berishës. Në shkrimin e tij, Lela vë në dyshim statusin e tyre si intelektualë, duke i akuzuar se përsërisin klishe, nuk sjellin ide të reja dhe përpiqen të tërheqin vëmendje përmes qëndrimeve ekstreme dhe teorive konspirative.
Pas këtij reagimi, ka ardhur një kundërpërgjigje e ashpër nga analisti Shpend Gashi, drejtues i emisionit “Oponencë”, i cili ishte pjesë e tryezës së PD-së. Gashi e ka konsideruar shkrimin e Lelës si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj tij dhe ka reaguar me një gjuhë të rëndë dhe fyese përmes një postimi publik.
Në reagimin e tij, Gashi përdor etiketime dhe akuza personale ndaj Lelës, duke e cilësuar atë përgjegjës për dështimin e komunikimit publik të PD-së dhe duke paralajmëruar një përballje të afërt. Ai gjithashtu thekson se kontributin e tij intelektual e dëshmojnë, sipas tij, të ftuarit dhe audienca e emisionit që drejton, ndërsa ironizon aktivitetin publik dhe krijimtarinë e Lelës.
Përplasja mes dy figurave publike ka nxjerrë në pah përçarjet dhe tensionet e brendshme që vijojnë të shoqërojnë opozitën, në një moment kur bashkimi politik konsiderohet vendimtar përballë mazhorancës.









