DEKLARATA/ Insiston Trump: SHBA-të duhet të “zotërojnë” Groenlandën për të frenuar ndikimin rus dhe kinez

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë pronësi mbi Groenlandën, me qëllim parandalimin e zgjerimit të ndikimit të Rusisë dhe Kinës në territorin strategjik të Arktikut.

Duke folur për gazetarët të premten, Trump theksoi se siguria e Groenlandës nuk mund të garantohet përmes marrëveshjeve të përkohshme. “Ju nuk mbroni kontrata qiraje, por pronësinë. Dhe ne do të duhet ta mbrojmë Groenlandën,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo mund të arrihet “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur media ndërkombëtare raportojnë se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e blerjes së Groenlandës, territor gjysmë-autonom i Danimarkës dhe pjesë e NATO-s. Nuk përjashtohet as skenari i aneksimit me forcë, një ide që është kundërshtuar ashpër nga Danimarka dhe autoritetet lokale, të cilat kanë theksuar se Groenlanda “nuk është në shitje”.

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e të gjitha forcave politike të Groenlandës, përfshirë opozitën, reaguan ndaj qëndrimeve të Trump, duke kërkuar respekt për sovranitetin e vendit. “E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga populli grenlandez. Ne nuk duam të jemi as amerikanë, as danezë. Ne duam të jemi grenlandezë,” thuhet në deklaratë.

Trump ka argumentuar vazhdimisht se Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare të SHBA-së për shkak të pozicionit të saj strategjik midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke pretenduar se rajoni përballet me një prani në rritje ruse dhe kineze. Aktualisht, SHBA-të kanë më shumë se 100 trupa të dislokuara në bazën ushtarake Pituffik, në veriperëndim të ishullit, e cila funksionon që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, Uashingtoni ka të drejtë të rrisë praninë ushtarake në Groenlandë, por Trump ka theksuar se kjo nuk mjafton. “Nuk mund të mbështetesh te marrëveshje qiraje, qofshin ato edhe 100-vjeçare. Nevojitet pronësi,” deklaroi ai.

Aleatët e Danimarkës në NATO, përfshirë disa vende evropiane dhe Kanadanë, kanë shprehur mbështetje për Kopenhagenin, duke theksuar se çështja e Groenlandës duhet të trajtohet në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë bisedime me autoritetet daneze javën e ardhshme, teksa tensionet diplomatike mbi të ardhmen e Groenlandës vijojnë të rriten. Interesi për ishullin është shtuar edhe për shkak të burimeve të pasura natyrore dhe aksesit në rritje të tyre si pasojë e shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike.