MARREVESHJA TREGTARE/ BE–Mercosur merr dritën jeshile – Von der Leyen e cilëson “historike”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur miratimin e marrëveshjes tregtare BE–Mercosur, duke e cilësuar atë si një moment historik dhe duke shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar zyrtarisht në Paraguai.

Pas 25 vitesh negociatash, marrëveshja krijon zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë, duke përfshirë mbi 700 milionë konsumatorë. Në deklaratën e saj, Von der Leyen theksoi se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë evropiane, veçanërisht për rreth 60 mijë biznese, kryesisht të vogla dhe të mesme, të cilat do të përfitojnë nga ulja e tarifave doganore, me kursime të vlerësuara në rreth 4 miliardë euro në vit.

Ajo siguroi gjithashtu se marrëveshja përfshin masa të forta mbrojtëse për fermerët evropianë, si dhe kontrolle më të rrepta mbi importet, për të garantuar standardet e sigurisë dhe konkurrencës së ndershme.

Von der Leyen theksoi se marrëveshja është “fitimprurëse për të dyja palët” dhe se, përtej aspektit tregtar, ajo shënon fillimin e një epoke të re të dialogut politik dhe bashkëpunimit strategjik mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Mercosur – Argjentinës, Brazilit, Uruguait dhe Paraguait.

Shumica e shteteve anëtare të BE-së votuan në favor të marrëveshjes, ndërsa Franca, Polonia, Austria, Irlanda dhe Hungaria votuan kundër. Belgjika abstenoi. Miratimi kërkonte një shumicë të kualifikuar, që përfaqësonte të paktën 65% të popullsisë së Bashkimit Evropian.

Me këtë vendim, shtetet anëtare kanë autorizuar Presidenten e Komisionit Evropian të udhëtojë në Paraguai për nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes, ndonëse data e saktë e nënshkrimit ende nuk është konfirmuar.