KTHESE E PAPRITUR/ E kishte cilësuar Petron si një “njeri të sëmurë” – Trump paralajmëron takim me Presidentin e Kolumbisë në fillim të shkurtit

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se do të zhvillojë një takim me Presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro, gjatë javës së parë të muajit shkurt.

Sipas mediave të huaja, marrëdhëniet mes dy liderëve kanë qenë të tensionuara më herët, teksa Trump e kishte cilësuar Petron si një “njeri të sëmurë”. Megjithatë, ditët e fundit retorika e tij është zbutur, përpara një bisede telefonike që dy presidentët zhvilluan të mërkurën.

Pas telefonatës, Trump deklaroi se Petro kishte ndryshuar tonin gjatë bisedës dhe e përshkroi komunikimin mes tyre si “një nder të madh”.

Tensionet mes palëve u përshkallëzuan pas kapjes së ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga ushtria amerikane, një veprim që u kritikua ashpër nga Petro. Në atë kohë, Trump e akuzoi Presidentin e Kolumbisë si të përfshirë në trafik droge dhe e paralajmëroi të tregonte kujdes, ndërsa Petro e cilësoi operacionin ushtarak të SHBA-së në Karakas si të padrejtë.

Takimi i paralajmëruar pritet të shërbejë si një përpjekje për uljen e tensioneve dhe rishikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.