THIRRJE TRUMPIT/ Kërkohet ndërhyrje urgjente në Iran – djali i Shahut, Reza Pahlavi: Protestuesit rrezikojnë jetën

Reza Pahlavi, djali i Shahut të fundit të Iranit dhe një nga figurat kryesore të opozitës iraniane në mërgim, i ka bërë thirrje Presidentit amerikan Donald Trump që të ndërhyjë urgjentisht, duke paralajmëruar se regjimi iranian po përgatitet të shtypë me dhunë protestat në vend.

Në një postim në rrjetin social X, Pahlavi tha se autoritetet iraniane po përdorin ndërprerjen e internetit si mjet për të izoluar qytetarët dhe për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve. “Z. President, kjo është një thirrje urgjente për vëmendjen, mbështetjen dhe veprimin tuaj,” shkroi ai, duke theksuar se miliona iranianë dolën në rrugë dhe u përballën me plumba të vërtetë.

Sipas Pahlavit, situata është përkeqësuar edhe më tej, pasi protestuesit tashmë po përballen me një bllokadë totale të komunikimit. “Pa internet, pa linja fikse – regjimi po përpiqet t’i lërë të pambrojtur,” theksoi ai.

Reza Pahlavi, i cili ishte vetëm 16 vjeç kur revolucioni i vitit 1979 rrëzoi sundimin e babait të tij, Shah Mohammad Reza Pahlavi, jeton aktualisht në Shtetet e Bashkuara. Ai akuzoi Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei se “i frikësohet fundit të regjimit” dhe se po kërcënon protestuesit me një masakër brutale.

Duke i kërkuar Trumpit të veprojë, Pahlavi u shpreh se koha është vendimtare dhe se qytetarët do të rikthehen sërish në rrugë. “Ju lutem, jini të përgatitur të ndërhyni për të ndihmuar popullin e Iranit. Ju e keni treguar se jeni njeri i paqes dhe i fjalës suaj,” përfundoi ai.