Duke nisur nga 1 janari i këtij viti, edhe djemtë 13-vjeçarë janë përfshirë në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit me vaksinën kundër virusit Human Papiloma (HPV).
Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), përfshirja e djemve në këtë program përbën një hap të rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së virusit, pasi ata mund të jenë bartës dhe transmetues të tij. HPV njihet si shkaktar kryesor i kancerit të qafës së mitrës tek gratë, si dhe i sëmundjeve të tjera të rënda.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2026, rreth 18,661 djem mbushin moshën 13 vjeç dhe do të jenë pjesë e detyrueshme e këtij programi vaksinimi. Deri më tani, vaksina kundër HPV-së është aplikuar vetëm tek vajzat, me rreth 46 mijë të vaksinuara në shkallë kombëtare.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se zgjerimi i vaksinimit synon rritjen e mbrojtjes së përgjithshme të popullatës ndaj HPV-së dhe uljen e ndjeshme të rasteve të infeksionit në të ardhmen.









