PERPLASJA/ Rama kapet me Blendi Fevziun: Akuzat për udhëtimet e ministrave janë të pavërteta, udhëtimet e vetme janë të tuat me Baton Haxhiun

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të gazetarit Blendi Fevziu, i cili mbrëmjen e së enjtes pretendoi se të paktën shtatë ministra të qeverisë udhëtojnë privat gjatë fundjavave, ndërkohë që në media transmetohen pamje sikur ata janë në inspektime zyrtare.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se ato nuk mbështeten në asnjë fakt zyrtar. Sipas tij, regjistri i udhëtimeve të ministrave tregon qartë se çdo dalje jashtë vendit bëhet vetëm me kërkesë dhe miratim përkatës, përfshirë edhe rastet personale.

Kryeministri e cilësoi pretendimin e Fevziut si të pabazë dhe larg realitetit, duke shtuar me ironi se edhe vetë koncepti i “kasetave” nuk ekziston më prej vitesh. Rama vijoi më tej duke ironizuar se “7 udhëtimet” e përmendura nga gazetari i përkasin në fakt vetë Fevziut, i cili së fundmi ka udhëtuar disa herë në Amerikën Latine së bashku me Baton Haxhiun, ndërkohë që emisioni “Opinion” transmetohej live në Shqipëri.

Në reagimin e tij, Rama përmendi edhe një episod në Venezuelë, ku sipas tij, Fevziu është kthyer mbrapsht nga autoritetet vendase, ndërsa në Shqipëri emisioni vazhdonte transmetimin live.

Në përfundim, kryeministri theksoi se nuk ka asnjë problem të diskutohet seriozisht për udhëtimet e ministrave, por i cilësoi pretendimet e Fevziut si të ekzagjeruara dhe me nota ironike, duke shtuar se mbetet i hapur për përballje publike mbi këtë temë.