REPLIKA/ Fevziu i përgjigjet Ramës: Do përgjigjem pasdite. Tani po ndjek pasojat e zjarrit në treg

Deklaratat e gazetarit Blendi Fevziu kanë sjellë një tjetër përplasje publike me kryeministrin Edi Rama. Pas reagimit të kreut të qeverisë ndaj pretendimeve të tij, Fevziu ka dhënë një kundërpërgjigje të shkurtër përmes rrjeteve sociale.

Në një postim në faqen zyrtare të emisionit “Opinion”, gazetari ka ripublikuar deklaratën e Ramës, duke bërë të ditur se një reagim më i detajuar do të vijë më vonë. Ai theksoi se aktualisht vëmendja e tij është e përqendruar te ngjarjet e rënda të kronikës, konkretisht te zjarri i mbrëmshëm që përfshiu tregun, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për tregtarët e vegjël.

“Përgjigjen pasdite. Në këtë moment po shoh tregun e djegur bashkë me miliona euro të tregtarëve të vegjël shqiptarë që u shkrinë në zjarrin e mbrëmshëm. Kronikë e zezë”, shkruan Fevziu në reagimin e tij, i cili është interpretuar në rrjet edhe si një përgjigje ironike ndaj kryeministrit.

Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar, gjatë emisionit “Opinion”, Fevziu deklaroi se disponon prova për të paktën shtatë ministra të qeverisë Rama, të cilët sipas tij, gjatë fundjavave ndodheshin në udhëtime private jashtë vendit, ndërkohë që në televizionet shqiptare transmetoheshin pamje të regjistruara më herët nga inspektimet e tyre.

Gazetari e cilësoi këtë praktikë si të papranueshme dhe jashtë standardeve demokratike, duke theksuar se do të vijojë publikimin e rasteve të dokumentuara. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama reagoi mesditën e sotme duke i hedhur poshtë këto akuza dhe duke i cilësuar ato të pabazuara.