ARSYET/ Trump anulon fazën e dytë të sulmeve ndaj Venezuelës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Truth Social” se ka vendosur të anulojë fazën e dytë të sulmeve të planifikuara ndaj Venezuelës. Sipas tij, ky vendim vjen pas lirimit të një numri të madh të të burgosurve politikë nga ana e Venezuelës, si shenjë e vullnetit për paqe.

Trump e cilësoi këtë veprim si të mençur dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve ka ndikuar drejtpërdrejt në anulimin e sulmeve. Megjithatë, ai bëri të qartë se anijet luftarake amerikane do të qëndrojnë ende në rajon për arsye sigurie.

Presidenti amerikan nënvizoi gjithashtu se SHBA-ja dhe Venezuela po bashkëpunojnë ngushtë, veçanërisht në rindërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit. Sipas tij, kompani të mëdha të sektorit energjetik pritet të investojnë të paktën 100 miliardë dollarë, ndërsa Trump njoftoi se do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e tyre në Shtëpinë e Bardhë.