ZBARDHET VENDIMI/ Balluku u pezullua nga detyra dhe iu ndalua dalja nga Shqipëria – ja dokumenti zyrtar i GJKKO: Rrezikon të prishë provat dhe të largohet

Zbardhet vendimi i GJKKO për Belinda Ballukun, e cila u pezullua nga detyra si zv kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

Në vendimin që ka siguruar News24 ndër të tjera thuhet se Balluku, për shkak të detyrës rrezikon prishjen e provave.

Po ashtu sipas vendimit të GJKKO ekziston rreziku i largimit të të pandehurve, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale.

“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim”, sqarohet në vendimin e GJKKO.

Në lidhje me rrezikun që për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohet, Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë”.

Në lidhje me ekzistencën e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet”

Po ashtu, Gjykata vlerëson se caktimi masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues/ndalues ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi është i domosdoshëm në plotësim të nevojave të sigurimit që kërkon hetimi i këtij procedimi penal. 176.

Në lidhje me përcaktimin e llojit të masës së sigurimit për secilin prej të pandehurve, Gjykata i referohet parashikimeve të K.Pr.Penale, në nenin 229 të tij, i cili në pikën 1 dhe 2 përcakton se:

Në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.

Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal”.

Masat per Ballukun dhe vartësit e saj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, sqaroi përmes një njoftimi për shtyp mbrëmjen e të enjtes paligjshmëritë e kryera nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe vartësit e saj, në të cilat është bazuar kërkesa për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj tyre.

Veç masave të pezullimit nga detyra dhe ndalimit për daljen jashtë shtetit të Ballukut, është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpiak ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli. Sipas SPAK, masat e sigurimit janë ekzekutuar të enjten.

Prokuroria sqaron se nga hetimet janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi.

Në tenderin me objekt ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit më shumë se 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të pandehurës Belinda Balluku, e cila në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, e deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’”, citohet në njoftim.

Po ashtu, shpjegohet se në kohën e kryerjes së veprimeve, i pandehuri Evis Berberi ka mbajtur funksionin si drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Erald Elezi ka qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar; Gentian Gjyli si drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa të pandehurat Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë qenë specialist të nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tenderi i dytë në të cilin Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, ka rezultuar se dhe në këtë rast, Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejton.

Edhe në këtë rast, Balluku akuzohet se në bashkëpunim me Berberin, tre anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K. e D.Xh, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi, K.K. e M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e tenderit duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues.

Sipas SPAK, hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, që vijojnë ende hetimet për këtë çështje, Berberi është nën akuzë dhe i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrëdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij.