Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, ka dërguar një video-mesazh urimi me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, duke vlerësuar rolin e saj historik dhe ndikimin e vazhdueshëm në stabilitetin financiar të vendit.
Në fjalën e saj, Lagarde kujtoi sfidat e mëdha që Shqipëria dhe Banka e saj Qendrore përjetuan në fillimin e viteve ’90, gjatë tranzicionit të vështirë nga komunizmi drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
“Ngjarjet e rëndësishme të shekullit XX – nga luftërat botërore deri te vendosja e komunizmit – kanë përfshirë edhe Shqipërinë dhe institucionet e saj. Një nga ndryshimet më të thella për bankën qendrore erdhi me tranzicionin drejt demokracisë në fillim të viteve ’90, kur inflacioni u rrit mbi 200%. Banka Qendrore u përball me një nga sfidat më të mëdha: rivendosjen e stabilitetit monetar, duke rritur ndjeshëm normat e interesit për të ulur inflacionin”, u shpreh Lagarde.
Kreu i BQE-së vlerësoi gjithashtu mënyrën se si Shqipëria ka përballuar krizat financiare ndër vite, duke theksuar se veprimet e Bankës së Shqipërisë kanë qenë thelbësore për ruajtjen e ekuilibrit ekonomik.
“Shqipëria përjetoi goditje të mëdha, përfshirë krizën financiare globale, e cila la bankat me kapital të huaj me një nivel të lartë kredish me probleme. Megjithatë, vendi doli më i fortë, falë veprimeve të Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të miratuar rregullore të rëndësishme mbi kapitalin dhe likuiditetin. Në fillim të këtij viti, banka ka nisur zbatimin e masave makroprudenciale për të kontrolluar rreziqet që mund të vijnë nga tregu i banesave”, theksoi ajo.
Në përmbyllje, Lagarde deklaroi se Banka Qendrore Evropiane mbështet fuqimisht integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar si thelbësore që Shqipëria të mbetet e përkushtuar ndaj politikave monetare dhe stabilitetit financiar.
“Suksesi i Bankës së Shqipërisë pasqyron suksesin më të gjerë të vendit në vitet e fundit”, përfundoi Christine Lagarde.









