BALOTAZHET/ Kreu i KQZ në Kosovë tregon kur do të shpallet rezultati përfundimtar

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniç ka dalë në një konferëncë për shtyp ku ka folur lidhur me rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune.

Radoniç ka bërë me dije se rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numërohen edhe votat e diasporës, votat e personave me aftësi të veçanta dhe votat me kusht. Ai njoftoi se i gjithë procesi i numërimit të të gjitha votave mund të përfundojë brenda dy javëve.

“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numërohen votat e diasporës, votat e personave me aftësi të veçanta dhe votat me kusht. Lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare do të njoftoheni më vonë. Votat e diasporës do të merren nesër dhe pasnesër. Në disa vende ku ishte pushim të hënave dhe të martave, këto vota do të merren ditët e para të punës. Shpresojmë që deri në fund të javës së ardhshme do të merren të gjitha votat e disporës. Me rastin e arritjes do të nisë dhe numërimi. Brenda javës së dytë do të jemi me rezultatet përfundimtare“, u shpreh ai.