DEKLARATA/ Abdixhiku i LDK-së voton në balotazh: Zgjedhjet në Kosovë janë festë e demokracisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e votës në balotazhin e zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në Kosovë.

Pas votimit, Abdixhiku e cilësoi këtë ditë si një festë demokratike, duke theksuar se qytetarët e Kosovës kanë treguar gjithmonë pjekuri politike dhe standard të lartë në proceset zgjedhore. 

“Sot në Kosovë, si gjithmonë, zgjedhjet trajtohen dhe janë festë. Sot është dita kur vendimmarrja i kthehet qytetarit, sovranit, ashtu siç duhet të jetë gjithkund. Jam i lumtur për nivelin demokratik që si shoqëri e tregojmë gjithmonë në procese zgjedhore,” tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së theksoi se organizimi dhe pranimi i rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë janë një shembull unik në rajon, duke e quajtur këtë “një mrekulli demokratike” me të cilën qytetarët duhet të krenohen.

“Në standardet e Ballkanit Perëndimor, e madje edhe të Evropës, mënyra se si i organizojmë zgjedhjet dhe si e trajtojmë procesin është diçka e veçantë. Festë është sot, dhe festë do të jetë edhe më 9 nëntor, kur përfundon procesi i votimit,” shtoi ai.