MASA DRASTIKE/ Aeroportet në alarm – SHBA vuan mbylljen e qeverisë: Mund të reduktohet trafiku ajror me 10%, 

Sipas një raportimi ekskluziv nga Reuters, Departamenti i Transportit i Shteteve të Bashkuara po përgatitet të ndërmarrë një hap drastik, reduktimin me 10% të trafikut ajror të planifikuar në 40 aeroportet më të mëdha të vendit, nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë federale deri të premten, 7 nëntor 2025.

Burime për Reuters, thanë se Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, pritet të lëshojë urdhrin nëse kriza politike në Uashington vazhdon.

Që nga fillimi i mbylljes së qeverisë më 1 tetor, 13 mijë kontrollorë ajrorë dhe 50 mijë oficerë të Sigurisë së Transportit (TSA) janë detyruar të punojnë pa pagesë, duke shkaktuar vonesa masive dhe anulime në dhjetëra mijëra fluturime.

Zyrtarët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në mënyrë dramatike nëse kriza zgjatet. Të martën, Duffy paralajmëroi se mbyllja mund të çojë në “kaos total” dhe ta detyrojë atë të mbyllë pjesë të hapësirës ajrore amerikane, një masë ekstreme që do të godiste rëndë industrinë e aviacionit dhe ekonominë.

Linjat ajrore në alarm

Sipas Reuters, linjat ajrore më të mëdha, përfshirë United Airlines dhe American Airlines, panë një rënie prej rreth 1% në tregtinë e zgjeruar të aksioneve, pas lajmeve për mundësinë e kufizimeve të reja.

Grupet e industrisë ajrore raportojnë se mbi 3.2 milionë pasagjerë janë prekur nga vonesat dhe anulimet e fluturimeve që prej fillimit të mbylljes, kryesisht për shkak të mungesave në staf.

Administrator i FAA-së, Bryan Bedford, tha të martën se 20% deri në 40% e kontrollorëve ajrorë në 30 aeroportet më të mëdha nuk po paraqiten në punë, një situatë që e ka vënë sistemin në prag kolapsi.

Rreziku për industrinë dhe sigurinë

Megjithëse linjat ajrore deklarojnë se ndikimi financiar deri tani është i kufizuar, ato paralajmërojnë se rezervimet mund të bien ndjeshëm nëse mbyllja vazhdon, duke prekur afatgjatë industrinë. Të mërkurën u raportuan mbi 2 mijë e 100 vonesa fluturimesh në mbarë vendin.

Ekspertët e aviacionit paralajmërojnë se nëse ndërprerjet e stafit përkeqësohen, siguria e udhëtimeve ajrore mund të rrezikohet, një skenar që do të ishte precedent historik për sistemin ajror amerikan.

Nëse nuk arrihet marrëveshja për rihapjen e qeverisë deri të premten, SHBA-të rrezikojnë të përballen me një krizë të paprecedentë në transportin ajror, me pasoja të menjëhershme për ekonominë dhe imazhin e sigurisë kombëtare.